Ballina Aktualitet Rama shkund ministrat! Irritohet me mosshkarkimin e drejtorëve parazitë: Në administratë s’duhet...

Rama shkund ministrat! Irritohet me mosshkarkimin e drejtorëve parazitë: Në administratë s’duhet të ketë këmbë militan

66

Kryeministri Edi Rama vijon të jetë i pakënaqur me punët e ministrave dhe deputetëve socialistë. Ashtu si çdo të hënë edhe ditën e djeshme në ambientet e brendshme të selisë së Partisë Socialiste, kryeministri Rama mblodhi shtabin e tij elektoral për të diskutuar në lidhje me vijimësinë e fushatës së tyre elektorale.

Por ndryshe nga herët e tjera që në takim kanë qenë vetëm koordinatorët politikë të PS në 12 qarqe, dje të pranishëm ishin edhe ministrat, gjë që u konfirmua edhe nga kreu i grupit socialist të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas përfundimit të takimit.

Rama ultimatum ministrave të shkarkojnë drejtorët

Por gazeta ka mësuar detaje nga ky takim, i cili mësohet se ka qenë tejet i tensionuar. Burime të sigurta pohuan se shefi i qeverisë ka shkundur ministrat, ndërsa i ka vënë këta të fundit përballë një ballafaqimi me drejtuesit e qarqeve, të cilët kanë dorëzuar raportin javor mbi organizmin për fushatën zgjedhore për 2021 dhe mbi të gjitha problematikat në qarkun që ata drejtojnë. Kështu mësohet se Rama ka kërkuar të shkarkohen të gjithë drejtorët që nuk kanë përmbushur objektivat për të hapur vende të reja pune dhe rritur cilësinë e shërbimit për qytetarët.

Po ashtu, mësohet se tejet i nevrikosur dhe i gjendur përballë kësaj situate shqetësueses, zoti Rama iu ka vënë ultimatum ministrave që të shkarkojnë drejtorët parazitë, pasi nëse do të dështojnë të zbatojnë këtë porosi, ata rrezikojnë seriozisht të largohen nga qeveria. Nga ana tjetër, referuar të njëjtave burime, në mbledhje janë zbuluar se ka problematika në të 12 qarqet, sidomos çështje që kanë lidhje me pronësinë, ndërsa shefi i qeverisë ka kërkuar nga vartësit e tij që të lëvizin dhe të mos flenë gjumë, duke adresuar problemet që po përballen qytetarët dhe iu dhënë zgjidhje sa më parë.

Ndërkohë, mësohet se Rama u ka thënë drejtuesve të qarqeve dhe ministrave që duhet të bëjnë një rishikim të çdo drejtuesi të institucioneve publike që varen nga ministritë që kanë dështuar në punën e tyre dhe se nuk duhet të lejohet arroganca e këtyre personave në krye të institucioneve.

Në administratë nuk duhet të ketë këmbë lsisti

Por përveç shkarkimit të drejtorëve parazitë dhe arrogantë, mësohet se kryeministri Edi Rama në takimin e djeshëm ka kërkuar nga ministrat që të shkarkohen të gjithë militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim që janë ende në administratë dhe që janë punësuar jashtë profilit të tyre, duke mos respektuar si meritën ashtu edhe arsimin.

Në raportin e dorëzuar nga 12 koordinatorët në shumë takime qytetarët dhe strukturuar e Partisë Socialiste kanë ngritur si shqetësim faktin se edhe pse PS është në mandatin e dytë qeverisë, shumica e të punësuarve janë demokratë dhe militantë të partisë së Kryemadhit, ndërsa socialistët janë harruar dhe lënë rrugëve.

Kështu që të ndodhur përpara kësaj situate, Rama me tone të ashpra ka kërkuar nga vartësit e tij që mos lënë këmbë lsi-sti në administratë. Madje, mësohet se ketë kërkesë shefi i qeverise e ka mbështetur edhe me faktin se LSI mbijeton përmes punësimeve, duke kërkuar që kjo parti të sulmohet nga të gjitha anët, që në zgjedhjet e ardhme parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 të shkojë sa më e gjymtuar, në mënyrë që të mos kthehet në një subjekt politik që të vendosë për fatin e qeverisë së ardhshme.

Madje, sikundër theksuan të njëjtët burime në fjalën e tij, i pari i qeverisë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 e ka vënë theksin në vazhdimësinë e takimeve me qytetarët për të rikuperuar “pikët” që mund të jenë humbur, pasi kjo çështje lë për të dëshiruar dhe të gjithë duhet të intensifikojnë kontaktet me bazën, nëse nuk duan që të dalin në opozitë pas 26 prillit.