Ballina Aktualitet Raporti/ Meta dhe LSI më të terrorizuarit nga reforma: Ja si PD...

Raporti/ Meta dhe LSI më të terrorizuarit nga reforma: Ja si PD kapi gjyqësorin dhe lufta në prapavijë që po bëhet për d

29

Ilir Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se janë armiqtë kryesorë të reformës në drejtësi. Thuajse çdo ditë ka nga një kritikë a sulm nga ata për reformën e procesin e vetingut. Një gjë e tillë është pasqyruar edhe tek raporti i hartuar nga Instituti i Studimeve Politike, ku analizohet ecuria e deritanishme e reformës në drejtësi. Sipas raportit të siguruar nga gazeta, LSI dhe Meta flasin me të njëjtën gjuhë kundër reformës dhe nuk shohin asgjë pozitive tek ajo.

“Partia më e avancuar kritike ndaj reformës në drejtësi, ecurisë dhe bilancit të saj mbetet LSI. Për ironi, reforma mori jetë kur kjo parti kishte postet e tre ministrave të Drejtësisë, të cilët jo rastësisht u lanë jashtë procesit vendimmarrës për reformën. LSI vijon të jetë aktive në deklarata kundër bilancit të reformës në drejtësi dhe ta shohë atë si një proces të kontrolluar 100% prej kryeministrit. Retorika e saj, i bashkohet retorikës së Presidentit të Republikës dhe madje njësohen së bashku, duke mos parë pothuajse asnjë element pozitiv tek reforma dhe procesi i vetingut”, thuhet në raport. Për ISP, kjo gjë tregon qartë se LSI e presidenti nuk mund të bashkëjetojnë me reformën në drejtësi. Pra, janë kundërshtarë të saj dhe nuk e durojnë dot zbatimin e saj. “Të dy palët, presidenti e LSI kanë pasur të drejtë në paralajmërimet mbi krizën e mundshme në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, etj, por ligjërimi i tyre publik dhe sidomos adresimi i kritikave dhe përgjegjësive tek aktorët ndërkombëtarë të përfshirë në reformën në drejtësi, kanë krijuar perceptimin se ka një bashkëjetesë të pamundur midis tyre dhe vetë reformës në drejtësi, asaj që nisi, asaj që është dhe asaj që mund të jetë në të ardhmen”, citohet në raport.

Kapja e drejtësisë nga PD

Në “lupën” e Institutit të Studimeve Politike ka kaluar edhe qëndrimi i Partisë Demokratike ndaj reformës në drejtësi. Sipas raportit, edhe nga ana e PD ka shumë akuza, por ato janë të gabuara sepse demokratët nuk kanë fakte të provojnë kapjen e reformës nga mazhoranca. Nga ana tjetër, ISP tregoi sesi PD ka kapur sistemin e drejtësisë. Sipas raportit, disa demokratë janë në konflikt interesi kur atakojnë procesin e vetingut sepse kanë qenë mbështetës të disa prej subjekteve të shkarkuara. “Një numër personash që realizojnë ligjërimin publik të opozitës për reformën në drejtësi janë vetë në konflikt interesi, pasi kanë qenë pjesë e strukturave përgjegjëse, palë në procese gjyqësore, objekt hetimi ose kandidatë për postet e reja në sistemin e drejtësisë. Edhe në nivelet më të larta politike, figura me rëndësi që atakojnë reformën në drejtësi janë gjithashtu në konflikt interesi politik pasi gjatë viteve kanë qenë mbështetës të fortë të disa prej subjekteve të shkarkuara me prova korrupsioni apo tregues të dukshëm negativ në integritet/anën profesionale”, thuhet në raport. Ndërsa bojkoti që opozita i bëri Parlamentit shihet në raport si një tentativë për të penguar reformën në drejtësi. “Mungesa e opozitës në parlament dhe aksioni i saj politik ka lënë shteg të hapur për kritikët e saj, shqiptarë apo ndërkombëtarë, të krijojnë idenë se opozita është radikalizuar për shkak të reformës në drejtësi, me qëllim pengimin e saj apo pamundësimin e suksesit të saj”, thuhet aty.

Kritika ndaj mazhorancës

Në raportin e ISP kritikohet edhe mazhoranca për qëndrimin ndaj reformës. Sipas ISP, ajo i siguroi me vonesë ambientet për organet e reja dhe zvarriti miratimin e projektligjeve të reformës në drejtësi. “Mazhoranca vonoi rreth një vit për të zgjidhur çështjen e ambienteve të punës së strukturave të reja në drejtësi, vonoi muaj të tërë të kalojë në Parlament ligje të paketës së reformës që nuk kërkonin konsensus me opozitën, si dhe nga mënyra sesi u soll sidomos gjatë incidenteve me protestat e opozitës apo të fushatës elektorale, mbivendosi policinë e shtetit mbi organet e hetimit duke krijuar idenë dhe perceptimin se nuk është drejtësia, por policia dhe qeveria që arreston, burgos dhe dënon”, thuhet në raport. /Mimoza Ibra