Ballina Sport Roli i jetës…Ndriçim Xhepa dhe “Flutura në kabinën time”

Roli i jetës…Ndriçim Xhepa dhe “Flutura në kabinën time”

30

Viti 1988!

Kanë kaluar tre vite nga vd ekja e Enver Hoxhës por në fakt, jane tre vite nga pesë të fundit të “final countdown” të diktaturës. Jeta sa vjen e bëhet më rëndë por nga ana tjetër ndihet një erë e lehtë ndryshimesh e cila më vonë do të bëhej titulli simbolik i rënies së një sistemi të tërë në Europën Lindore!

Pak më e ngadaltë në këtë ritëm Shqipëria por gjithsesi…ndryshimet ndihen. Xhinset që dikur i shihje aq rrallë sa edhe një orkide pa dalë mirë dimri, tani, sa vijnë e shtohen, si kërpudhat pas shiut! Të rinjtë qarkullojnë më lirshëm me flokë të gjata, vajzat mund të mbajnë edhe minifunde, të tërë bashkë, mund të qarkullojnë me bluza me stampa, me gërma e reklama të ndryshme dhe, “Coca-Cola” tashmë ndër bluza apo “Marlboro” ndër pulovra, nuk shihen më si herezi! Heronjtë e sistemit, të djeshmit apo aktualët sa vijnë dhe pakësohen.

Propaganda e sistemit është bërë thjesht sebep të qeshurash! Pikat më të lavdishme të saj gjithashtu! Tani më shumë fillon e flet dhuna, armët…Partizanët e lavdishëm i përkasin një të kaluare të largët, ushtria është shthurur komplet, pothuaj se deri në degjenerim dhe të dyja këto caqe të kundërta, bashkohen fshehurazi netëve në një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur në këmbë sistemin…Vrasjet në kufi sa vijnë e shtohen! Kjo valë ndryshimesh, ishte perceptuar shumë më shpejt në botën e artit dhe sidomos të filmit.

Filmat me temë nga e kaluara ku mbizotëronte lufta, ja kanë lënë vendin filmave me temë shoqërore.Filma si “Njeriu i mirë” apo “Në shtëpinë tonë” i dhanë një vrull të ri kinemasë drejt temash sociale dhe kështu kemi filma të tillë të bukur si “Dora e ngrohtë”, “Në çdo stinë”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Apasionata”, “Në kufi të dy legjendave”,”Të mos heshtësh”,”Treni niset në shtatë pa pesë”, “Flutura në kabinën time” etj. Gjithashtu, nëpër kinema, filma të huaj nga e njëjta kohë por të një reliteti tjetër, i patën bërë kinematë të mbusheshin plot!

Kemi të bëjmë me fenomenin Alen Delon i cili, në një fare mënyre, vrau frikën tek të rinjtë dhe përsa i përket djemve, ndryshoi modën për ta në Shqipëri në lirinë dhe modelin e mbajtjes së flokëve! Filmat epikë me Herkulin apo heronjte e Trojes, u zhdukën nga qarkullimi! Filmat me tema sociale nga vitet 60-të, të kinematografisë italiane humbën nga kinematë gjithashtu!

Por…”Bomba” që ndryshoi gjithçka ishte “Shamikuqja” – (Selvi Boylum Al Yazmalim) që ndonëse ishte një prodhim turk i vitit 1978, shkonte aq shumë me realitetin shqiptar! Nga fillimi i aktivitetit ditor të një kinemaje dhe deri në shfaqjen e fundit të filmit, sallat ishin plot! Në dalje, njerëzit ishin aq të shumtë sa mund të mendoje se…erdhi treni! Gratë dilnin të tëra duke qarë dhe pak më vonë, basti midis atyre që qëndronin jashtë kinema duke pritur të dilnin të tjerët dhe të hynin vetë, ishte se, sa gra do të dilnin duke mos qarë prej saj…

Mos u habisni! Njerëzit prisnin jashtë kinemasë deri edhe një orë para filmit sepse nxitoheshin të prisnin bileta! Frika se mos nuk gjenin…Mbrëmjeve, nëpër trotuare apo para shtëpirave të tyre, jevgjit këndonin një këngë për Iljazin-shoferin në film (Kadir Inanir) dhe shoqëronin duke fishkëllyer melodinë e filmit! Turkan Soray, protagonistja, kurrë nuk e pati një famë të tillë në vendin e saj! Gymysh (Songül Öden), është diçka krejt e vogël në krahasim dimensionesh me të por…ajo u ftua në një emision show në Tiranë dhe…diçka jo dhe aq të vogël mori si shpërblim në formë eurosh!

Turkan Soray edhe sot e kësaj dite e meriton të ftohet! Ajo, me rolin e saj, u ndryshoi mentalitetin shumë vajzave dhe shumë nuseve te reja gjithashtu në Shqipëri! Unë nuk mund të vë dot bast për influencën që “Shamikuqja” pati në krijimin e një prej perlave të radhës së Kinematografisë Shqiptare si “Flutura në kabinën time” por, të paktën asaj kohe, impresioni i përgjithshëm, ai ishte!

Rastësisht ose jo, Iljazi (Kadir Inanir), ngjante aq shumë me shoferin tonë! Ashtu siç më vonë, edhe shumica e filmit “Flutura në kabinën time” ngjante me “Shamikuqen” si, xhirimet ne rrugë malore me pyje, një vajzë që hipën në makinë dhe pak rëndësi ka në se është një vajzë fshati apo një mësuese biologjie, një shofer kamioni dhe me mustaqe, një femër e bukur në zyrën e administratës si Dilek Hanëmi (Hülya Tuğlu) apo Keti-Shpresa Bërdëllima!

Koha kërkonte një hero të ri dhe ai nuk mund të ishte as si Kanani – Shtigje të luftës dhe as si Ibrahim Kovaçi – I teti në bronx! Duhej një njeri i ditëve të asaj kohe, jo edhe aq i edukuar (dhe këtu do të thyheshin tabutë) por as njeri i keq! Duhej një portret që të ishte i pranueshëm nga të tërë dhe të adhurohej nga femrat! Kinematografia Shqiptare në atë kohë kishte një kare asash në dorë dhe i duhej të zgjidhte njërin prej tyre! Xhevdet Ferrin, Kastriot Caushin, Ndriçim Xhepën apo Artur Gorishtin…

Kastriot Caushi, ishte…”shumë i ëmbël” dhe nuk mund të interpretonte rolin e një shoferi të ri të ashpër si natyra e maleve në të cilat udhëtonte çdo ditë me kamion. Pa buzëqeshjen e tija, ai humbte shumë në rol! Xhevdet Ferri, ishte i riu gjatë, i fuqishëm, shumë i ndershëm e krenar por, jo i paedukati në aparencë dhe as “i ashpri me mustaqe”! Artur Gorishti, brenda një nate preku lavdinë me “Dora e ngrohtë” dhe një rol tjetër më shumë do ti prishte imazhin si personazhi Beso, gjë të cilën atë kohë nuk do ta pranontë as publiku! Ndriçim Xhepa i plotësonte të tëra këto kritere të cilat i kërkonte një rol i tillë!

Nuk ishte më “bukuroshi” nga tre të tjerët por…ishte Ndriçim Xhepa i roleve të filmave më të suksesshëm si “Treni niset në shtatë pa pesë”,”Duaje emrin tënd” , “Të mos heshtësh” dhe “Hije që mbeten pas”! Askush nuk mund të kishte një përqasje të tillë tek masat si aktor i ri dhe si fizionomi, plus, ishte i vetmi i cili mund të transformohej në një të ri, shofer kamioni, tip i ashpër dhe i dhënë edhe pas pijes!

Filmi “Flutura në kabinën time”, bëri që kinematë, për një kohë të gjatë, të mbusheshin ashtu si edhe me suksesin e fundit më të madh të filmit shqiptar “Dora e ngrohtë”. “Shamikuqja” filloi të harrohet” dhe vendin ja zunë krahasimet midis Toma-Iljazi, Shamikuqja-Flutura, Dilek Hanëmi-Keti… Suksesi i filmit, përveç Ndriçimit dhe punës së regjisorit Vladimir Prifti, i dedikohet edhe Luiza Xhuvanit, Reshat Arbanës,Tinka Kurtit dhe Kastriot Caushit apo Guljelm Radojës,Frederik Ndocit…

Tek e fundit, tek filmi turk “Shamikuqja”, nuk kishte aktorë si Reshat Arbana, në rolin e një xhaxhai të dashur si një atë i mirë por, edhe një njeri i afërm, i dashur po aq sa edhe nëna, siç ishte interpretimi mbresëlënës i së madhes Tinka Kurti, mungonte nga ai film! Ndriçim Xhepa, i përket atij brumi aktorësh për të cilët, nuk ndryshoi gjithçka brenda një nate me rolin e jetës dhe as jeta e tij nuk ndryshoi brenda një nate!

Përkundrazi! Ai erdhi deri aty, në atë rol, pas shumë rolesh të vegjël si tek “Këshilltarët” apo “Kohë e largët”. Gjithashtu edhe në teatër. Dalëngadalë por duke i u shmangur me ndërgjegjshmëri të plotë “shpatullave” prej emrit të nënës së tij Margaritës, duke bërë gjithnjë hapa të vegjël por të sigurtë, ai arriti që me tre filma – “Duaje emrin tënd”,”Të mos heshtësh” dhe “Hije që mbeten pas”, të fitojë në opinionin e artdashësve një emër shumë të mirë ndonëse ishte akoma shumë i ri dhe sidomos për publikun femër, të qenit çka më të bukur kishte kinemaja shqiptare nga artistët e rinj! Kjo, falë edhe ngjyrës karakteristike të syve të tija dhe vështrimit “fatal” si pa syze, ashtu edhe përtej xhamave të tyre!

Jam i sigurtë se po të pyesësh Ndriçim Xhepën, ai është aq modest sa nuk do të pranojë të ndajë rolin në këtë film prej filmave të tjerë! Sigurisht që, për mua si artdashës dhe për tërë të tjerët, roli i tija tek “Flutura në kabinën time”, hyn tek rolet qe për disa aktorë të kinemase shqiptare së deri 1990, ndër filma të ndryshëm, quhet “Roli Jetës”! Sepse në mos ishte roli i jetës për ta, pa dyshim që ato u bënë role të jetës tonë dhe gjenden edhe sot brenda saja!

Aktorë të tillë, krijuan dhe vendosën disa perla më shumë në gjerdanin e gjatë të Kinematografisë Shqiptare! Toma, shoferi Tom Melgushi, është një ndër fotografitë më mbresëlënëse në muzeun e portreteve të filmit shqiptar! Ndriçim Xhepa, prej kohësh gjendet në panteonin e asaj kinematografie! /Nga Arian Muraj