Ballina Aktualitet Shkëlqim Hajdari: Çështja e detit është politizuar, nuk ka marrëveshje nëse Greqia...

Shkëlqim Hajdari: Çështja e detit është politizuar, nuk ka marrëveshje nëse Greqia merr si pikë fundore ishullin e Othon

24

Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari komentoi ditën e djeshme lëvizjet e fundit të Greqisë për kufirin detar me Shqipërinë. Gjatë një interviste televizive, Hajdari tha se Greqia do të përfundojë në Gjykatat Ndërkombëtare nëse nuk është ende e vendosur për marrëdhëniet fqinjësore me Shqipërinë.

Sipas ish-prokurorit, nëse Greqia do të marrë për bazë ishullin e Korfuzit, gjithçka do të zgjidhet në rregull, por nëse merr si pikë fundore ishullin e Othonoit, është e bindur që nuk do të ketë marrëveshje. “Ne duhet të kemi kujdes, por jo frikë. Unë e shoh këtë në kuadër të situatës që është krijuar me Turqinë.

Ne duhet të jemi të qetë. Nëse Greqia nuk është e vendosur që marrëdhëniet me Shqipërinë t’i fusë në një kontekst fqinjësie, do të përfundojmë në Gjykatën Ndërkombëtare me këtë histori. Nëse Greqia do të marrë për bazë që kufiri është ishulli i Korfuzit, ne jemi në rregull. Gjithë konventat ndërkombëtare aty e ndajnë gjysmë për gjysmë. Nëse do marrë pikë fundore ishullin e Othonoit jemi të bindur se nuk do të merremi vesh.

Ka gjithë të drejtën të marrë Korfuzin dhe kështu ngjarjet me Greqinë zgjidhen menjëherë. Greqia ka ishuj sa të duash, ka territor detar pafund. Nuk ma merr mendja kurrë që të marrin si pikë referimi ishullin e Othonoit”, tha Shkëlqim Hajdari. Më tej ish-prokurori deklaroi se çështja e detit po politizohet, duke theksuar se kufiri detar nuk është pronë private e kryeministrit.

“Për fat të keq, shoh që te ne segmente të caktuara të politikës synojnë ta politizojnë. E mira është që çështja të mos politizohet, por të flasim të gjithë me një zë. Ky det nuk është i kryeministrit Rama, por i të gjithë shqiptarëve. Do të jetë në dispozicion të 10 milionë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shpresojmë që pavarësisht klimës së fortë mes Greqisë dhe Turqisë, diskutohet për ne të jenë në një frymë bashkëpunimi. Ministri grek të vijë këtu për të diskutuar që t’i ndajmë detet jo me “kush është më i fortë””, tha ish-prokurori Shkëlqim Hajdari.