Ballina Aktualitet Shpërbërja e LSI, Ilir Meta i rikthehet partisë nacionaliste, nis lëvizjet me...

Shpërbërja e LSI, Ilir Meta i rikthehet partisë nacionaliste, nis lëvizjet me Monikën

23

Vendimi i Partisë Demokratike për të mos pranuar në listat e saj kandidatët e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në zgjedhjet parlamentare të 2021, çon drejt shpërbërjes së plotë Lëvizjen Socialiste për Integrim, bandën më famëkeqe të hajdutëve në historinë e shtetit shqiptar.

Ndryshimi i Kushtetutës nga Edi Rama dhe deputetët e opozitës, duke hapur pjesërisht listat, ka nxjerrë jashtë loje koalicionet, që ishin e vetmja shpresë e LSI për të mbijetuar politikisht pas largimit të saj nga tepsia e pushtetit në 2017.

Pas këtyre ndryshimeve, me të cilat PD tashmë duket se është pajtuar, LSI-ja shpresonte që të merrte 20 deputetë në listën e PD, në pjesën e mbyllur. Por, disa ditë më parë, Partia Denokratike, përmes Bujar Nishanit, i dha një mesazh të qartë LSI, duke theksuar se kjo skemë nuk do të pranohet.

Me këtë vendim, banda e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit pritet të marrë fund në zgjedhjet e 2021. LSI ka mbijetuar deri më sot falë koalicioneve dhe duke u ngjitur herë pas PD dhe herë pas PS. Kur garoi i vetme në 2009, mori vetëm 4 deputetë.

Ilir Meta mbeti jashtë Parlamentit, por Sali Berisha i kaloi disa vota në Ndroq, duke e shpëtuar, në këmbim të bashkimit për të ndarë pushtetin. Kur garoi sërish e vetme në 2017, LSI u braktis nga shumica e drejtorëve, këshilltarëve, deputetëve dhe anëtarëve, duke treguar se kjo parti nuk ka lidhje me ndonjë parim apo mision, por mbahej e bashkuar vetëm për shkak të vjedhjes dhe ndarjes së vendeve të punës.

Në këto rrethana, Ilir Meta po punon për krijimin e një partie të re nacionaliste, si Aleanca Kuq e Zi.
Ditët e fundit, Monika Kryemadhi u nis me një varkë me vela drejt brigjeve greke, duke i dhënë një mesazh Edi Ramës: “Ti i dëshpëruar detin e shqiptarëve nuk e fal dot”. Në fakt kokat e korrupsionit të politikës shqiptare kanë treguar se janë gati të falin dhe të shesin çdo pëllëmbë territor të Shqipërisë për të qëndruar në pushtet.

Shembulli më ilustrues është burri i Monikës, Ilir Meta, i cili kur ishte ministër i Jashtëm në 2010, mbrojti paktin detar me Greqinë, ku Athina merrte 350 km2 det të Shqipërisë. Gjithashtu, Ilir Meta po rrafshon malet e Shqipërisë me guroret e tij mafioze, të kamufluara në emra të tjerë.

Nga ana tjetër, Ilir Meta ka nisur një tur, duke bërë propagandë nacionaliste nëpër Shqipëri. Meta nuk lë vend pa përdorur flamurin kombëtar, ndërsa dekoron kush t’i dalë para. Sot ka dekoruar Orkestrën Frymore të Ushtrisë. Disa ditë më parë Meta dekoroi vëllezërit Frashëri, ku në ceremoni nuk ishte asnjë i afërm i tyre, çka tregon qartë se Meta po i përdor dekorimet për llogaritë e tij politike. Në këtë kuadër Meta ka dekoruar Vasil Laçin, atentatorin e perandorit të Italisë. Duke parë se bandës së tyre LSI i ka dalë boja dhe nuk ka asnjë lidhje me integrimin, Meta dhe Monika po punojnë për të sajuar një tjetër parti me maskë nacionaliste, si një formë e re për t’u pasuruar. /Pamfleti