Ballina Aktualitet Shqipëria, tranzit për emigrantët: Pesëfishohet numri, rriten kërkesat për azil

Shqipëria, tranzit për emigrantët: Pesëfishohet numri, rriten kërkesat për azil

31

Shqipëria është vend tranziti për emigrantët që vijnë nga zonat në konflikt. Gjatë muajve të fundit, numri i emigrantëve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë përmes kufirit greko-shqiptar është shtuar.

Sipas një raporti të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, vendi nga i cili vijnë kryesisht është Siria, e ndjekur nga Pakistani, Iraku, Algjeria, Libia, Maroku, Palestina, Afganistani, Jemeni dhe Irani.

Gjatë vitit 2018, rreth 5730 shtetas të huaj janë kapur në territorin shqiptar nga policia kufitare dhe ajo e emigracionit. 15% të tyre e përbëjnë gratë dhe fëmijët (rreth 300 gra dhe 150 minorenë të pashoqëruar), një numër ky pesë herë më i madh në krahasim me vitin 2017.

Gjatë vitit 2018, 4738 persona kanë kërkuar azil në Shqipëri, ndërsa në vitin 2017, numri i azilkërkuesve ishte vetëm 307. Për më tepër, numri i emigrantëve të hyrë në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të vitit 2019 është rreth 3500, nga të cilët 2600 kanë paraqitur kërkesat për azil.

Krahas kësaj vale të emigracionit të paligjshëm dhe azilkërkuesish, në Shqipëri vihet re një rritje e fluksit të kategorive vulnerabël si gratë dhe fëmijët.

Në vitin 2016, numri i emigrantëve fëmijë ishte 277, ndërsa i grave 164. Numri i fëmijëve të pashoqëruar në 2017 ishte 24.

Sa i përket gjysmës së parë të 2018, numri i fëmijëve të kapur ishte 322, nga të cilët 272 janë referuar për azil. Ndërsa numri i emigrantëve që kërkojnë azil është rritur, parashikohet se më shumë se 7 500 kërkesa të tilla dhe 13 000 emigrantë do të regjistrohen deri në fund të vitit 2019.

Edhe pse Shqipëria nuk është pjesë e sistemit evropian të azilit, ajo siguron mbështetje për azilkërkuesit dhe refugjatët në përputhje me të gjitha parimet për mbrojtjen e njeriut të drejtat, mbrojtjen ndërkombëtare dhe sigurinë, por gjithashtu edhe në përputhje me kapacitetet e vendit.