Ballina Aktualitet Spartak Ngjela: Kemi një president shpellash, dërgimi i Kodit Zgjedhor në Venecia...

Spartak Ngjela: Kemi një president shpellash, dërgimi i Kodit Zgjedhor në Venecia blof, Moska e Beogradi po shtrijnë tentaku

26

Avokati Spartak Ngjela ka shpërthyer në akuza të forta ndaj presidentit Ilir Meta. Presidenti i është drejtuar Komisionit të Venecias për Kodin Zgjedhor, por për avokatin gjithçka ka qenë blof.

Gjatë një interviste televizive Ngjela deklaroi se, Meta bëri veprime të pamenduara dhe që tregojnë injorancë të thellë. Sipas tij, vetë fakti që Meta e zhdekretoi Kodin Zgjedhor dhe më pas e dërgoi për vlerësim nga Venecia e nxjerr atë blof dhe tregon se po vepron nga frika dhe paaftësia për të drejtuar. “Ajo e Venecias është blof. Venecia merr mendimin e një gjykate.

Meta është në hall. Mos vidhte. Mazhoranca nuk e pyeti fare se pse presidenti e çoi atje. Juridikisht mazhoranca ka të drejtë pasi nuk mund të presin një organ këshillues pasi nuk do t’i thoshte Metës çoje në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo nuk ekziston. Ai nuk e çoi në komisionin e Venecias dhe pastaj ta zhdekretonte, por e zhdekretoi dhe pastaj e nisi në Venecia. Këta janë injorantë të dalë nga shpellat e lumenjve.

Mund të vijë një drejtues si Meta të udhëheqë një shtet? Ka shtet në botë të drejtohet nga Meta? Injorant. Fatkeqësia është që e mori PS dhe u bë kryeministër 28 vjeç”, u shpreh ai për “Scan”. Më tej, avokati i njohur u shpreh se, Meta bën këto vendime të pakontrolluara për arsye se e ka kapluar frika. Sipas tij, presidenti frikësohet se do t’i dalin në shesh të gjitha pasuritë e siguruara nga korrupsioni dhe krimi.

Prandaj si për të mbuluar të palarat e veta Meta krijoi gjithë këtë trazirë, ku as mazhoranca nuk po e kupton dhe nuk po vepron. “Presidenti Ilir Meta do të marrë goditje të rëndë së shpejti. Pse është i shqetësuar presidenti Ilir Meta? Meta është i shqetësuar pasi do ti sekuestrohen të gjitha pasuritë. Do kthejë paratë e vjedhura, paratë e korrupsionit. Do përgjigjet prandaj e ka krijuar gjithë këtë. Nuk ja ka arritur, pasi se realizon dot, ka dështuar”, deklaroi Ngjela.

Shqipëria rrezikohet nga fqinjët

Nga ana tjetër Ngjela u bëri thirrje politikanëve të mos zvarrisin më reformën në drejtësi. Sipas tij nëse reforma në drejtësi nuk përfundon dhe nuk merr rrugën e saj, Shqipëria do të shkatërrohet nga fqinjët. Avokati tregoi se, Moska dhe Beogradi po fusin ndikimin e tyre në kryeqytet dhe kjo po arrihet përmes mediave të manipuluar dhe gazetarëve që financohen nga Moska dhe Athina.

“Në qoftë se nuk realizohet reforma në drejtësi, Shqipëria shkatërrohet nga fqinjët. Ata i paguajnë këta drejtues shqiptarë. Nga Moska në Beograd, nga Beogradi në Athinë. 4 stacione televizive paguan Moska në Shqipëri nuk po them emra. 40 gazetarë paguan vetëm Athina që të deformojnë sistemin informativ, por do ikë një nga një”, tha Spartak Ngjela.

Gjatë kësaj interviste, avokati nuk ka kursyer kritikat dhe akuzat për kryeministrin e vendit Edi Rama, por edhe korruptimin e sistemit gjyqësor në vend. Sipas Ngjelës, Rama ka vjedhur tezën e tij dhe e ka bërë të vetën dhe këtu fajin e ka sistemi i drejtësisë që nuk vepron pasi është i korruptuar dhe i drejtuar nga kriminelët. Prandaj, sipas avokatit, për situatën politike dhe atë të drejtësisë që ndodhet vendi sot e kanë fajin vetëm gjyqtarët e korruptuar. “Koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët, por gjyqtarët e prokurorët. Kjo është teza ime. Mori tezën time dhe e tha. Unë jam profesionist.

Nëse ka pushtet të pavarur, nuk ka korrupsion, kjo është e vërteta absolute. Faji kryesor këtu është mungesa e pushtetit gjyqësor dhe pse erdhi pushteti gjyqësor, me 6 mujor. Ku është shpresa e pushtetit gjyqësor sot? Janë magjistratët. Ata që kanë mbaruar shkollën e magjistraturës dhe po shikohet që reforma nuk po i kap pasi janë shumë të aftë”, deklaroi Ngjela.