Ballina Aktualitet Spektakël dhe goleadë, Shqipëria U-21 mposht thellë Austrinë

Spektakël dhe goleadë, Shqipëria U-21 mposht thellë Austrinë

27

Është mbyllur takimi mes Austrisë U-21 dhe Shqipërisë U-21, i vlefshëm për kualifikueset e Europianit U-21. Kanë qenë kuqezinjtë tanë ata që kanë triumfuar pastër me rezultatin 1-5. Një fitore e madhe, një fitore e gjitha kuqezi.

Sherif Kallaku realizoi një supergol në minutën e 15-të, duke shtangur ekipin vendas me një ekzekutim perfekt të goditjes së dënimit. Kapiteni i Shpresave tregoi të gjitha kualitetet e tij, duke zhbllokuar sfidës.

Në minutën e 27-të, është Indrit Tuci ai që dyfishon. Sulmuesi i talentuar, i aktivizuar si fantazist në këtë takim, merr një asist perfekt nga Vrioni dhe tund rrjetën, për të çuar shifrat në 0-2.

Në pjesën e dytë, pritej reagimi austriak, por kanë qenë sërish kuqezinjtë tanë që kanë shënuar. Ernest Muçi, i aktivizuar në pjesën e dytë, shënoi golin për 0-3 për djemtë e Alban Bushit.

Austria do të shënonte një gol në minutën e 82-të të sfidës, me anë të një 11-metërshi të shkaktuar nga Xhixha, por ky gol, do të ishte sa për statistikë.

Madje, u duk se ky gol vetëm “acaroi” kuqezinjtë tanë, që shënuan edhe dy herë të tjera. Muçi me të dytin personal dhe Adolfo Selmani me kokë, vendosën rezultatin final në 1-5. Shqipëria U-21 merr një fitore të madhe në Austri!