Ballina Aktualitet Takimin Meta-Basha me sherr dhe presion: Presidenti në ikje i kërkon kreut...

Takimin Meta-Basha me sherr dhe presion: Presidenti në ikje i kërkon kreut të PD të tërhiqet nga kushtet ndryshe… do

29

Shpërthen sherri mes presidentit Ilir Meta dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Mazhoranca e ka ndarë mendjen për shkarkimin e presidentit, ndërsa ky i fundit sulmet i ka përqendruar te lideri demokrat. Pasi e akuzoi se kishte plan për të djegur Kuvendin, Meta priti Bashën në një takim rreth 1 orë të mërkurën në zyrën e tij. Takim, i cili nuk ka shkuar dhe aq mirë.

I pari që dha sinjalin ishte Meta, i cili në konferencën për shtyp refuzoi të flasë. Por gazeta ka mësuar detaje nga ky takim. Burime pranë Presidencës dhe PD i thanë gazetës se ka qenë një takim mjaft i tensionuar. Meta e ka kërcënuar disa herë Bashën, pasi ky i fundit nuk po i bindet lojës së tij. Burime shumë të sigurta bënë me dije se Meta i ka kërkuar liderit demokrat që të ndryshojë kurs dhe të dalë e të thotë se është gati të hyjë në çdo kohë në zgjedhje, edhe me Ramën kryeministër dhe pa qeveri transitore. Meta ja ka bërë të qartë Bashës se tani dihet që nuk mund të shkohet në zgjedhje më 13 tetor, por sipas tij, nëse PD del dhe thotë se do hyjë në zgjedhje dhe me Ramën kryeministër, mund të dilet me një datë të re zgjedhjesh. Basha nga ana e tij ka këmbëngulur te qëndrimet e tij, duke u shprehur se një tërheqje e tillë do dobësonte pozitat e tij. Në 2017 Basha u tërhoq nga kushti i largimit të Ramës dhe e pësoi, e për këtë arsye ja ka bërë të qartë Metës se kushti për të shkuar në zgjedhje me qeveri transitore dhe pa Ramën kryeministër nuk ndryshon. Por kjo nuk është kapërdirë nga kreu i shtetit, i cili e ka kërcënuar Bashën se do dalë dhe të marrë ai frenat e opozitës.

Madje, Meta ka arritur deri aty sa i ka thënë se ai është dhjetorist dhe i takon atij më shumë se Bashës që të drejtojë opozitën drejt misionit për një shtet sa më demokratik. Kur raportoi në Komisionin Hetimor ditën e hënë, Meta nxori një foto ku ishte pjesë e grupit që negocioi me Ramiz Alinë. Sipas burimeve, ajo foto ka qenë mesazh për Bashën se është dhjetorist si Azem Hajdari dhe Meta ja ka bërë të qartë të mërkurën se ajo foto tregon shumë. Por sipas burimeve, Basha nuk ka lëshuar pe, duke deklaruar se do i qëndrojë deri në fund zotimeve dhe nuk mund të zhgënjejë demokratët. Ndërkohë Meta e ka kritikuar Bashën për aksionin opozitar. Sipas tij, protestat kanë rezultuar të dështuara. Meta është shprehur se PD ka deklaruar disa herë se do e rrëzojë Ramën, por në fund ka qenë Basha ai që ka shpërndarë turmën. Po ashtu i ka thënë se “ke dhe t’i përgjegjësi për trazirat”. Sipas presidentit, ka ardhur koha për ndryshim strategjie. Madje ai i ka thënë Bashës se PD e LSI janë më të forta dhe mund ta mundin Ramën, prandaj nuk duhet humbur kohë. Konstatimet Gazeta ka mësuar se deklarata e Metës se do digjej Parlamenti, kanë qenë presione në drejtim të Bashës. Duke qenë se takimi i së mërkurës dështoi, Meta bëri një tjetër lëvizje në konferencë shtypi, duke deklaruar se do nxjerrë provat, duke i çuar tjetër mesazh liderit demokrat. Por mësohet se sherri Meta-Basha është edhe më i hershëm.

Shkresa që PD u shpërndau anëtarëve të saj se nuk duhet mbështetur Meta për sulmet ndaj Soros apo reformës në drejtësi ka ashpërsuar tensionet mes tyre. Por çfarë e tremb presidentin? Frika më e madhe e Metës është se mund të ketë një pakt të fshehtë PD-PS për të shkrirë LSI. Djegia e mandateve dhe braktisja e zgjedhjeve e ka dobësuar shumë këtë parti dhe çdo ditë që kalon, është më keq për të. Por ajo që i ka futur të dridhurat presidentit është reforma zgjedhore. Tashmë po flitet çdo ditë se PD e PS do bashkëpunojnë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe rreziku që LSI të marrë goditjen finale është i madh. Ajo që vihet re është se Berisha ka nisur të tërhiqet pak, duke i lënë Bashën e Metën të merren vesh vetë. Megjithatë presionet e ish-kryeministrit për të shkuar te revoltat kanë qenë të shumta. Pra duket qartë se tashmë fitilat janë ndezur dhe në rast shkarkimi të Metës, do kemi një luftë Meta-Basha sesa Basha-Rama./ Kliti TOPALLI/Sot