Ballina Aktualitet “Të kapur nga Rama”, reagojnë analistët Baze, Balla e Minxhozi: Turpi i...

“Të kapur nga Rama”, reagojnë analistët Baze, Balla e Minxhozi: Turpi i Lulit, letra u ngjan qarkoreve të KQ të PPSH di

28

Gazeta Mapo ditën e sotme ka publikuar disa dokumente, në formën e një qarkore të brendshme, e cila mendohet të ketë dalë nga Partia Demokratike. Në këto dokumente, ndër të tjera, PD akuzon disa media si të paguara nga Edi Rama kundër opozitës.

Mes tyre ishte dhe emri i portalit Realstory.al, drejtuesit të gazetës Tema, Mero Bazes si dhe drejtuesit të portalit Javaneës, Skënder Minxhozit.

Drejtuesi i gazetës Tema, Mero Baze u shpreh se Letra e Bashës duket si qarkoret e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës, që dikur informonin partinë për ‘armiqtë e tyre’. Megjithatë Baze shprehet se kjo ‘nuk i dëmton’ mediat e përmendura, por më shumë dëmton ato që nuk janë përmendur.

“Letra e Bashës për strukturat e PD u ngjan ato qarkoreve të Komitetit Qendror dikur që informonin partinë për armiqtë e tyre. Nuk është se dëmton mediat që ka përmendur.

Më shumë dëmton ato që nuk ka përmendur, pasi delgjitimon luftën e tyre shpesh herë të drejtë kundër qeverisë.

Në një kohë që ka disa ditë që bëjën zhurmë për të mbrojtur dy emisione që janë larguar nga një televizon drejt televizoneve të tjera, sulmon gjithë pjesën tjetër të shtypit duke i konsideruar armiq.

Unë akoma nuk kam ndonjë fakt në dorë nëse Edi Rama është investuar ndaj largimit apo mbylljes ndonjë emisioni, dhe do të isha i lumtur ta kisha për ta botuar.

Por ky dokument e çon dëm gjithë këtë zhurmë, se me sa shihet po të ngelesh në dorë të Lulit është shumë herë më zi”, ka thënë Mero Baze për Realstory.al.

Ndërkohë, analisti i emisionit Real Story, por edhe drejtuesi i portalit ‘Javaneës.al’, Skënder Minxhozi, preferoi të mos e komentonte këtë qarkore, duke e quajtur atë një çmenduri të Bashës.

“Po e shoh tani këtë lajmin dhe nuk dua të merrem. Nuk e meriton fare t`i shkon pas çmendurive të tij’, tha Minxhozi.

Ndërkohë, vetë drejtuesi i Realstory.al dhe emisionit Real Story, gazetari Sokol Balla, i pyetur rreth kësaj qarkoreje, u shpreh se ‘ajo i kujton një mbledhje të PD të vitit 1995, ku kryetari i FRPD, i shpalli mediat mike dhe armike’.

“Meqë dikur kam qenë në PD, kjo letër më kujton një mbledhje të prillit të vitit 1995, kur një kryetar i FRPD-së, i ndau mediat në mike dhe armike. Dhe atëherë dukej sikur kishte më shumë armiq sesa miq, njëlloj si sot.

Çka nuk ishte njësoj ishte se atëherë PD ishte në pushtet dhe shumë e fortë. Unë pata propozuar që PD dhe qeveria të kishin marrëdhënie miqësore me të gjithë, meqë hapësirën që le ti bosh, e zë kundërshtari yt”, është shprehur Balla.

Ndërsa më tej, Sokol Balla tregon se nuk mbetet i befasuar nga ky qëndrim, pasi kupton se si në kohën kur Berisha ishte në pushtet e quante ‘opozitar’ edhe sot Basha në opozitë e quan ‘opozitar’.

“Ajo që duket nga kjo letër është se mentaliteti në raport me mediat nuk ka ndryshuar. Për tetë vjet Sali Berisha më pat quajtur ‘Opozitar Kryesor’ së bashku me televizionin ku punoja dhe emisionin tim. Pas 6 vjetësh e gjysëm e tha me zë të lartë dhe Luli.

Nuk kam asnjë zhgënjim dhe asnjë vrasje në ndërgjegje. Partitë bëjnë detyrën e tyre, ne tonën. Ato gabojnë, ne fitojmë lexues, ata bojkotojnë, ne fitojmë shikues. Krerët e tyre ikin një ditë, ne gazetarët këtu jemi. Basha dhe PD e kanë të hapur derën e RealStory megjithëse i mbyllën vetes çdo derë tjetër. Po nuk ka më fair-play me pyetjet, por tashmë me përgjigjet’, ka thënë Sokol Balla.

Kujtojmë se kreu i PD, Lulzim Basha në një koment të datës 3 maj të këtij viti, në Ditën Botërore të Medias, akuzoi qeverinë për ‘kapje të medias’.

“Personalisht, jam angazhuar që, me marrjen e drejtimit të qeverisjes së vendit, do të bëj gjithçka për të forcuar lirinë e medias si shtyllë kryesore të demokracisë.

Gazetarët meritojnë të jenë pushteti i katërt dhe jo një vegël propagande në duart e kryeministrit”, deklaroi në Ditën Botërore të Medias kreu i PD.