Ballina Aktualitet TEATRI: Për Robert Budinën që s’është Robert Ndrenika: Ç’nuk shkon te krerët...

TEATRI: Për Robert Budinën që s’është Robert Ndrenika: Ç’nuk shkon te krerët e anti-prishjes

13

Pas një heshtjeje ciklike, është rindezur po ciklikisht çështja e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar, që jo politikën, as vetë komunitetin artistik, as arkitektët e shoqërinë civile, por gati dhe shoqërinë e ka ndarë në dy pjesë; në ata që duan zëvëndësimin e saj me një godinë të re dhe moderne, e në ata që duan ruajtjen e së vjetrës.

Parë ftohtë, të dy palët duket se kanë argumenta bindëse në qëndrimet e tyre, e që e vendosin çështjen në atë lloj simetrie, ku dhe qëndrimet pro e kundër shihen si të lëvizshme. Por kjo e fundit vlen vetëm për ata që kanë arsye të kulluara artistike e aspak politike, aq më pak inatçore me të parin e qeverisë. E tha aktori Artan Imami, por që është dhe e dukshme, se ndër zërat pro Teatrit të vjetër janë plot asish të cilëve në afshin e tyre trashëgimor, u prevalon qartë inati që kanë me Ramën, diku buruar nga arsye pragmatike e diku dhe jo të tilla.

Por tani, në stadin ku ka mbërritur çështja, ka një simetri të prishur, ku kahja anon nga ata që janë pro Teatrit të ri, ku një pjesë e tyre janë dhe ndryshues në qëndrime, kaluar pra nga njëri krah në tjetrin. Dallojnë aty emra si Robert Ndrenika, Arben Dehremi, Altin Basha, Alfred Trebicka etj.

Kjo ka bërë që kauza e pro të vjetrit të pësojë dy goditje të rënda. Njëra është politizimi i saj i tejskajshëm, ku tani s’dallohet politika nga artistikja e gjithçka duket politike, si dhe nga cilësia e përfaqësimit. Realisht e simbolikisht njëherësh, Robert Budina s’është Robert Ndrenika. Që do të thotë se mungesa emrave me prestigj në krye të kauzës është një minus i madh. Ndrenika mund ta ketë gabim, por si artisti i madh i falen gabimet e vogla. Ndërsa Budina s’e ka këtë atribut.

Pakkush është marrë me këtë aspekt të krizës, pra cilësinë përfaqësuese të atyre në pozicionet përkatëse. Por nëse i qasemi më të zhurmëshve, atyre kundër prishjes së Teatrit, padyshim që aty çalojnë më së shumti. Emra si vëllezërit Budina, aktori Neritan Liçaj, apo dhe regjisori Kastriot Çipi, nuk janë në nivel emrash imponues, as në nivel artistik e as në nivel mendimi shoqëror. Janë individë mëse të zakonshëm, që vetëm një rrethanë e pazakontë i ka bërë të njohur në publikun e gjerë.

Edmond Budina është një aktor i para viteve ’90, regjisor gjithashtu, pedagog te Artet (ish-koleg me Ramën), ndër të angazhuarit e parë me themelimin e PD-së, por që një ikje në Itali më pas e bëri gati të harruar për dekada. Veç rikthimit me disa filma vitet e fundit, ai aktor e regjisor, me jetën teatrore në 30 vite nuk ka patur asnjë lidhje. Në kujtesën kolektive, të hershme a të vonë, nuk bëhet dot asnjë lidhje mes emrit e pamjes së tij, me ato të figurave simbol të Teatrit Kombëtar, dje dhe sot. Ai nuk është as Çim Xhepa, as Viktor Zhusti, as Ahmet Pasha, as Robert Ndrenika jo e jo, madje as Arben Dehremi, pa llogaritur të tjera figura më afirmative. Pra, nuk gëzon asnjë atribut për të qenë në krye të një kauze ku s’e ka mandatuar kush.

Në një intervistë për VOA-n kohë më parë, si arsye bazë se përse po mbronte godinën e vjetër, ishin vetëm nostalgjitë e tij individuale që nga koha kur ishte fëmijë(!).

Më pas vjen i vëllai, Roberti. Regjisor por asgjë më tepër se kaq, pa cilësorët “i njohur” apo “i shquar”. As emri i tij nuk ka një lidhje simbolike me TK. Pos kësaj, është në konflikt të hapur interesi, pasi së bashku me regjisorin tjetër, Kastriot Çipi, janë në strukturat e PD-së. Duke u ndalur dhe te ky i fundit, po ashtu si Budina regjisor, artistikisht nuk i thotë asgjë publikut, kujtesës apo emocioneve kolektive. I përfolur dhe për abuzime financiare në kushtet e një drejtuesi institucioni vite më parë, kur drejtonte Teatrin Eksperimental, Çipi nuk futet te personalitetet gjurmëlënëse në TK-së, me të drejtën për të qenë në krye të një kauze. Si regjisor, ai nuk është as Piro Mani, as Fatos Haxhiraj, as Anton Qesari, as Alfred Bualjoti (të dy këta të fundit janë regjisorët e “Pallatit 176”), as Gëzim Kame, as Arben Kumbaro, as Kiço Londo, as Armando Bora e me radhë.

Pastaj vjen Neritan Liçaj, i cili është ndër aktorët më cilësorë të brezave të pas viteve ’90, por i pamundur për të qenë ndonjëherë personalitet artistik, jo ndoshta për arsye artistike por patjetër për arsye etike.

Kjo katërshe përfaqësuese e kauzës anti-prishje, para se të ofrojë argumenta pro godinës së vjetrës, i kanë borxh publikut, por dhe kolegëve të tyre, që të sqarojnë se për ç’atribute të veçanta u takon të diktojnë edhe forcërisht vullnetet e tyre mbi ato të të tjerëve, kolegëve të tyre, me më shumë atribute se ata.

Ata në fakt, as nuk janë pyetur për këtë nga gjuha gazetareske, që duhej të ishte ndër pyetjet bazë në intervistat e zakonshme që japin.

Pra, cili është qëndrimi i tyre karshi atyre dhjetrave që kërkojnë Teatër të ri mbi të vjetrin, se nga buron bindja e tyre se janë shumica, e po ashtu pse nuk u mungon ajo modesti për të qenë respektues ndaj disa kritereve të prestigjit publik, thënë ndryshe, me ç’kurajo del Robert Budina para Robert Ndrenikës. Kjo vlen për aksionet e natyrës fizike, siç është zaptimi mbi 2-vjeçar, e jo për qëndrimin e tyre në planin teorik, që është e drejta e tyre ta shprehin e ta mbrojnë.

Pos kësaj, te kjo katërshme ka dhe një delirizëm, ku ndokush pretendon se ai ka qenë dhe në krye të lëvizjes anti-komuniste të Dhjetorit (jo Edmond Budina), e se kishte bërë gabim që s’i kish dhënë (personalisht ai), dërrmën komunistëve, por që tani ishte i vendosur t’jua jepte (Edi Ramës). Me një kërkim të thjesht, në daç me kujtesë natyrore e në daç teknologjike (Google), emri tij nuk lidhet asgjëkundi me atë epokë e me atë kauzë të para 30 viteve.

Dhe në fund, diferencën e bën mandati. Vendimmarja në demokraci funksion me mandat përfaqësimi. Jo qëndrimet por vendimmarjet. Eshtë ky “rregull që vendos rregull” në një shoqëri ku për çdo gjë ka qëndrime jo pajtuese.

As për Kullën Ejfel, simbolin e Francës, nuk ka patur unison qëndrimesh kur është lartuar, madje nuk ka as sot. Çështja është se kundërshtarët e tij, dje dhe sot, ku veçon i madhi Mopasan, nuk patën kurrë mandat për të diktuar shijen e tyre.

Në këtë pikë, ithtarët e mosprishjes, kanë patur mundësinë, siç e kanë ende, të faktorizohen politikisht dhe të garojnë me kauzën e tyre për një mandat përfaqësimi. Kështu mund t’i tregonin vendin Edi Ramës e mbanin në jetë godinën e tyre.

Gjykuar në këtë linjë të regullit demokrat, Rama ka shumicën me vete dhe në çështjen e Teatrit. Sepse, duke mbrojtur zëvëndësimin e të resë me të vjetrën që nga ’99, ka ç’prej atëhere bilanc fitues në gara elektorale si për Tiranën e si për Shqipërinë. Kjo e ezauron dhe tezën e referendumit.

E ka gabim, po bën një krim(trashëgimor)? Mundet. Por politikisht dhe demokratikisht është në rregull: ka garuar me idetë e tij, ka fituar, e prej tyre ka një mandat.

Askush s’i ka penguar e s’i pengon kundërshtarët e tij, përfshirë dhe katërshen e mësipërme, të bëjnë të njëjtën gjë, për të patur dhe ata një ditë një mandat. (tesheshi)