Ballina Aktualitet ‘Tërmeti’ BKH! 60 hetuesit e FBI-së shqiptare do hapin dyert e çdo...

‘Tërmeti’ BKH! 60 hetuesit e FBI-së shqiptare do hapin dyert e çdo zyre shtetërore: Akses në çdo dosje dhe sistem info

30

Nga Adriatik Doci

Drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit Aida Hajna dhe kreu i SPAK Arben Kraja, në bashkëpunim me një komision me përfaqësues të drejtësisë penale të SHBA-BE, do të nisin këtë vjeshtë procesin e përzgjedhjes dhe të rekrutimit të 60 hetuesve të FBI-së shqiptare, e cila do të përgatisë dosjes e krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet për llogari të SPAK, për t’u referuar më pas në Gjykatën Speciale.

Po çfarë do të ndodhë pas konstituimit të Byrosë së Hetimit me 60 hetues? Të gjithë krerët e institucioneve të shtetit shqiptar janë të detyruar me ligj të hapin dyert e zyrave për hetuesit e FBI-së shqiptare, kur hetuesit kërkojnë të mbledhin prova për hetimin e korrupsionit apo krimit të organizuar.

60 hetuesit kanë akses të drejtpërdrejtë në sistemet e informacionit, dosjet dhe të gjitha të dhënat e administruara nga degët e shtetit shqiptar, përfshirë çdo drejtori dhe nëndegë të saj, në kuadër të hetimit të veprave penale në kompetencë të SPAK. Organet shtetërore kanë detyrim t’u japin hetuesve çdo informacion brenda 24 orëve dhe kur ekziston baza e të dhënave, t’u japin akses të drejtpërdrejtë. Hyrja e hetuesve të Byrosë së Hetimit nëpër institucionet shqiptare bëhet me një kërkesë me shkrim nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme drejtuar titullarit të institucionit shtetëror. Pas kësaj kërkese, hetuesit e Byrosë kanë akset deri në 6 muaj me radhë dhe nëse hetimet zgjasin, kreu i SPAK duhet të bëjë një tjetër kërkesë.

Hetuesit mund të sekuestrojnë çdo dosje dhe mund të rrethojnë me shirit çdo zyrë. Aksesi i hetuesve të Byrosë kufizohet për sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave që janë të certifikuara si sekret shtetëror. Në këto raste, hyrja do të bëhet sipas ligjeve për ruajtjen e sekreteve. Ndërkaq, sa i takon subjekteve private, këto të fundit janë të detyruara me ligj që të informojnë Byronë e Hetimit nëse kanë dijeni për të dhënë për vepra penale të krimit dhe korrupsionit. I njëjti detyrim vlen edhe për punonjësit e Policisë së Shtetit.

Një nen i veçantë në ligjin për SPAK është parashikuar vetëm për Drejtorinë e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila është e detyruar të informojë për rastet e pastrimit të parave në çdo nivel. Nëse e kërkon SPAK, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave vë në dispozicion të gjitha të dhënat që disponon mbi transaksionet e personave të dyshuar për pastrim parash. Të gjitha të dhënat dhe materialet që mblidhen nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kalojnë në një sektor të posaçëm në SPAK, i quajtur Sektori i Dokumentacionit, i cili krijon dhe mban një bazë të dhënash që shërben si burim informacioni në procedimet penale.

Byroja Kombëtare e Hetimit ka në përbërje të saj shërbime të Policisë Gjyqësore. Oficerët e Policisë Gjyqësore ndihmojnë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme, që kryhen nga institucione të tjera. Ata, me urdhër të prokurorit të SPAK mund të kryejnë kontrolle të befasishme dhe arrestime. Disa javë më parë, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, duke iu referuar sulmeve të disa segmenteve të politikës ndaj Byrosë Kombëtare të Hetimit, u shpreh se “Duket sikur disa po ëndërrojnë që BKH kurrë nuk do të vendoset, ata shpresojnë se drejtësia nuk do të vijë kurrë. Na vjen keq që ju zgjoi nga dremitja juaj, por ëndrra juaj nuk do të bëhet e vërtetë. Reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por është e nevojshme dhe ne duhet të ecim përpara”. /Shqiptarja.com