Teuta shokon izraelitët e Beitar/Fiton bindshëm dhe kalon në turin e dytë të Europa League – Descript

24

Teuta ia ka dalë të bëjë surprizën e madhe, duke mposhtur izraelitët e Beitar të Jerusalemit me shifrat 2-0 dhe duke u kualifikuar për në turin e dytë të Europa League.

Skuadra e Edi Martinit zhvilloi një 90-minutësh fantastik në “Niko Dovana”, pasi kaloi në avantazh, diti të vuajë për minuta të tëra dhe në fund shpërdoroi edhe disa mundësi shënimi, para se të gjente golin e sigurisë për vijimin e aventurës evropianë.

Teuta gjeti golin e avantazhit që në minutën e gjashtë, kur pas një krosimi nga krahu i majtë i sulmit, ishte sulmuesi i ardhur pak ditë më parë nga Skënderbeu, Blerim Krasniqi që kërceu dhe gjuajti saktë me kokë, duke dërguar topin në rrjetë.

Ky gol çoi në shinat e duhura ndeshjen për durrsakët, që mbroheshin mirë dhe qarkullonin topin, duke mos u dhënë aspak mundësi izraelitëve të shfaqen kërcënues në zonën e portës së Stivi Frashërit.

Ky i fundit u bë hero i durrsakëve në minutat e para të pjesë së dytë, kur izraelitët krijuan disa mundësi të mira shënimi, por topi nuk përfundoi në rrjetë, pasi Frashëri ishte gjithmonë në lartësinë e detyrës, duek bërë disa pritje të bukura.

Trajneri Edi Martini, në minutat e fundit freksoi sulmin, duke hedhur në fushë shkodranët Gruda e Hebaj. Dhe ky i fundit arriti të shënojë edhe golin e sigurisë, duke mbyllur llogaritë e ndeshjes.

Pas Tiranës, tashmë Teuta bëhet e dyta skuadër shqiptare që do të luajë në turin e dytë eliminator të Europa League.

The post Teuta shokon izraelitët e Beitar/Fiton bindshëm dhe kalon në turin e dytë të Europa League appeared first on Descript.