Trajneri Reja: Jemi të detyruar të fitojmë, ndoshta djemtë i kanë ruajtur golat për ndeshjet e rëndësishme – Descript

24

Ditën e nesërme Shqipëria përballet me Kazakistanin dhe trajneri i kombëtares, Edy Reja, ka folur në një konferencë për shtyp për formacionin e ekipit, pritshmëritë nga ndeshja dhe të ardhmen e tij si trajner në këtë skuadër.

Reja ka thënë se me Shqipërinë nuk e lidh thjeshtë kontrata, por i pëlqen ky projekt dhe dëshiron ta vazhdojë.

Ndërkohë ai nuk ka hezituar të flasë dhe për performancën në miqësoren me Kosovën.

“Nuk e kam të vështirë të bëj zgjedhjet e mia. Tani jemi më të plotë. Kanë ardhur lojtarë si Gjasula dhe Cikalleshi, lojtarë me eksperiencë dhe fizikisht të fortë. I kam bërë zgjedhjet e mia. Jam i lumtur që kam marrë disa vlerësime nga miqësorja me Kosovën. Nuk jam i kënaqur thjesht me rezultatin, por edhe me paraqitjen e lojtarëve. Mora atë që prisja, sinjale të mira për të ardhmen. Punojmë edhe për skuadrën e të ardhmes. Miqësoret janë që të provohen edhe të rinjtë”.

“Problemi i golit? Duhet të jemi më konkretë. Trajneri përgatit ndeshjen që lojtarët të shkojnë te zona e kundërshtarit. Fakti që kemi pasur raste tregon punën e mirë. Na ka munguar edhe fati, pasi kemi pasur shumë raste. Duhet të tregohemi më të kujdesshëm para porte dhe të fitojmë për të kapur vendin e parë në grup. Uroj që rastet e humbura t’i shlyejmë këtë herë. Ndoshta djemtë i kanë ruajtur golat për këto ndeshje të rëndësishme”.

“Formacioni? Le ta përfundojmë këtë cikël me këtë modul, pasi na jep garanci. Nuk kemi pse ndryshojmë tani modulin e lojës. Rezultatet më kanë dhënë të drejtë deri diku. Nuk ndryshojmë dot kaq shpesh. Kam bindjen të vazhdojmë kështu. Ndoshta mund ta rishikojmë pas këtyre dy ndeshjeve. Gjithçka bëhet në varësi të lojtarëve. Lojtarët janë të motivuar dhe shpresoj të marrim maksimumin në këto ndeshje”.

“Ndryshimet në formacion? Zakonisht kam dy lojtarë për çdo rol, por vetëm një luan. Lojtarët që kanë luajtur më kanë krijuar siguri dhe kanë luajtur mirë. Kemi marrë rezultate të mira dhe ndonjëherë jo atë që kemi dashur. Nuk morëm maksimumin muajin e shkuar dhe tani jemi të detyruar të fitojmë sfidat e radhës. Nuk ka skuadra të lehta, mbetemi favoritë sigurisht. Kam zgjedhur lojtarët që më përshtaten më shumë”.

“Kazakistanin e njohim më mirë. E dimë ku janë pikat e forta dhe të dobëta dhe shpresojmë të fitojmë e të marrim tre pikët. Pastaj do kemi mundësinë të mendojmë e të flasim edhe për ndeshjen e radhës me Bjellorusinë”.

“Kontrata? Kam një marrëveshje me FSHF. Dua ta vazhdoj, por çdo trajner varet nga rezultatet. Nëse janë të kënaqur me punën dhe rezultatet, do të vazhdojmë. Kemi pasur probleme prej pandemisë, nuk na la të punojmë sipas programit. Jemi munduar të ndërtojmë ekipin e së ardhmes. Pa rezultat çdo trajner është në vështirësi. Nuk më lidh thjesht kontrata me Shqipërinë. Më pëlqen ky projekt dhe dua të vazhdoj”.

“Në mbrojtje është rikthyer Ismajli. Beratin e lashë pushim me Kosovën, pasi kishte luajtur çdo tre ditë me Atalantën. Kemi tre zgjidhje për mbrojtjen, pavarësisht mungesave. Uroj të paraqitemi mirë me këta që kemi. Sa i takon sulmit, po mundohemi të përmirësohemi. Me Kazakistanin duhet të çajmë murin e tyre, pasi luajnë me shumë lojtarët mbrapa. Na duhet shpejtësi në lojë.

“Presioni? Duhet, pa presion nuk i vë dot lojtarët në kushtet e duhura në fushë. Kur kemi ulur përqendrimin kemi gabuar. Presioni bën mirë. Kam lojtarë me eksperiencë dhe e dinë çfarë është përqendrimi. Më vjen keq që nuk do të kemi tifozët. Në ndeshjet e fundit të kombëtareve ka pasur rezultatet të çuditshme, pasi nuk ekziston më faktori fushë. Më vjen keq që nuk do të kemi ndihmën e tyre”.

“Balaj-Seferi? Të gjithë meritojnë të luajnë titullarë. Ata u paraqitën mirë. Tani kam edhe Cikalleshin gati. Kam katër lojtarë që mund të luajnë. Do aktivohen kush janë më në formë. Nuk kam vendosur për sulmin, ata e dinë çfarë mendoj unë. Zgjedh edhe në varësi të kundërshtarit. Duhet të bëj zgjedhjet e duhura në bazë të rivalëve që kemi përballë”, e mbylli deklaratën e tij Reja.

/descript.al/

The post Trajneri Reja: Jemi të detyruar të fitojmë, ndoshta djemtë i kanë ruajtur golat për ndeshjet e rëndësishme appeared first on Descript.