Ballina Bota Turqia largon anijen “Oruc Reis”/ SHBA: Konflikti me Greqinë të zgjidhet me...

Turqia largon anijen “Oruc Reis”/ SHBA: Konflikti me Greqinë të zgjidhet me dialog

22

Mëngjesin e së dielës anija kërkimore turke Oruc Reis është larguar nga ujërat pranë ishullit grek Kastelorizo dhe është drejtuar drejt Antalias ,ndërkohë që Ankaraja nuk ka rinovuar navtex-in që kishte deklaruar për datat 12-14 shtator për kërkime në këtë zonë.

Zëdhënësi i qeverisë greke e ka quajtur hap pozitiv largimin e anijes turke, por i është referuar njëkohësisht edhe qëndrimit të rreptë të sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo nga Qipro të shtunën në mbrëmje , ku ky i fundit ka folur edhe për bisedat e presidentit Trump me liderët e Greqisë dhe Turqisë ,për uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e konfliktit me dialog.

Ne mbetemi thellësisht të shqetësuar nga operacionet e vazhdueshme të Turqisë për shpim-kërkimet në gjetjen e burimeve natyrore në zonat mbi të cilat Greqia dhe Qiproja kanë juridiksionin në Mesdheun Lindor. Republika e Qipros ka të drejtën të shfrytëzojë burimet natyrore, përfshirë të drejtën për hidrokarbure që gjenden në detin e saj territorial dhe zonën e saj ekskluzive ekonomike.

Nga ana tjeter gazeta patriotike turke Yeni Safak thotë se shkaku i largimit të Oruc Reis është thjesht një pushim i shkurtër derisa të zhvillohet dialogu me palët në NATO. Por më herët kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nga Selaniku , ka shpallur ,përveç të tjerash, masa te reja sa i përket përforcimit të sektorit të Mbrojtjes së vendit dhe arsenalit ushtarak .

Është koha për të forcuar forcat e armatosura si një trashëgimi për sigurinë e vendit, por edhe si një detyrim suprem ndaj grekëve që do të mbajnë koston. Kështu që sot unë shpall 6 vendime kryesore që rrisin fuqinë, funksionalitetin dhe efektivitetin e ushtrisë greke: Së pari, forca jonë ajrore menjëherë fiton një skuadrilje prej 18 avionësh luftarakë Rafale me zëvendësimin e menjëhershëm të Mirageve të vjetër .

Sipas Mitsotakis do të blihen gjithashtu nga Franca 4 fregata te reja , do rinovohen 4 të tjera, do të rinovohet arsenali i këmbësorisë, marinës detare , dhe forcave ajrore, gjatë pesë viteve te ardhshme do të futen në ushtri 15.000 burra dhe gra, do të rifillojnë punën repartet e industrisë së armëve të specializuara për mirëmbajtjen e anijeve luftarake dhe avionëve, ndërsa do të fillojë menjëherë futja e sistemeve të reja dixhitale dhe hibride në ushtri.

Kryeministri grek ka akuzuar Turqinë për minimin e sigurisë dhe paqes në Mesdhe, ndërsa ka theksuar se Greqia është e gatshme të bashkëpunoje me të gjithë fqinjët.

Top Channel