Ballina Bota Vala e dytë e Covid-19: Izraeli bëhet vendi i parë që rikthen...

Vala e dytë e Covid-19: Izraeli bëhet vendi i parë që rikthen karantinën

20

Izraeli bëhet vendi i parë në botë që i kthehet karantinës për së dyti. Numri rekord i rasteve të reja e detyroi qeverinë ta marrë këtë vendim të enjten.

Izolimi për frenimin e përhapjes së virusit do të zhvillohet në tre faza.

Datat specifike për secilën fazë nuk janë njoftuar dhe zbatimi i raundit të dytë dhe të tretë të kufizimeve do të varet nga rezultati i fazës së parë.

Mediat izraelite raportojnë se faza e parë ka të ngjarë të hyjë në fuqi pak para fillimit të Rosh Hashanah (viti i ri hebre), më 18 shtator, faza e dytë rreth 1 tetorit dhe e fundit rreth 15 tetorit.

Faza e parë e kufizimeve do të jetë më e ashpra, por masat më pas do të relaksohen, nëse niveli i përhapjes së infeksionit nis të bjerë.

Sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë, të enjten u regjistruan 4 038 raste të reja, duke tejkaluar pak rekordin e një dite më parë. Nga 33 920 raste aktive, 489 ishin në gjendje të rëndë, 134 prej tyre në ventilim.

180 të tjerë ishin në gjendje të moderuar, ndërsa pjesa tjetër janë raste të lehta ose asimptomatikë. Që nga fillimi i pandemisë, nga Covid-19 janë infektuar 146 542 izraelitë, nga të cilët janë shëruar 111 539.

Numri i të infektuarve në nivel global që nga fillimi i pandemisë i ka kaluar 28 milionë, sipas të dhënave nga Universiteti Amerikan “Johns Hopkins”.

Numri i vdekjeve në total është mbi 908 000. Vendi më i prekur në terma absolutë mbeten Shtetet e Bashkuara, me pothuajse 6.4 milionë raste dhe të paktën 191 750 vdekje. India dhe Brazili vijnë pas SHBA-ve.

Rritje e rasteve të reja ditët e fundit është shënuar në Francë dhe Britani. Covid-19 po përhapet me shpejtësi edhe në Indi, vendi i dytë në botë për numrin e popullsisë, ku të enjten u regjistruan 100 mijë raste të reja.

Përpos Brazilit, një tjetër vend i Amerikës Latine ku virusi po gjen përhapje është Peruja. Ajo renditet e pesta në botë, me 703 mijë të infektuar dhe mbi 30 mijë të vdekur.