Ballina Aktualitet Vendimi, ja gjetjet e ONM që fundosën Rovena Gashin dhe tentativat e...

Vendimi, ja gjetjet e ONM që fundosën Rovena Gashin dhe tentativat e ish-prokurores për të vonuar seancën dëgjimore

31

Një nga arsyet që çuan ish-prokuroren Rovena Gashi drejt shkarkimit përfundimtar ishin padyshim gjetjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka zbardhur vendimin e plotë për Gashin dhe sqaron në mënyrë të hollësishme edhe se ku konstatonin gjetjet e ONM për ish-prokuroren. Sipas vendimit, vëzhguesja ndërkombëtare ka rrëzuar pretendimet e Rovena Gashit se refuzimi i kërkesës së saj për përjashtimin e trupës gjykuese ishte shkelje e procedurës.

“Vëzhguesja Ndërkombëtare ka dhënë opinionin se mospranimi, nga ana e Komisionit, të kërkesës për përjashtimin e trupit gjykues në Komision, datë 18.07.2018, nuk cilësohet si shkelje e rëndë procedurale, për më tepër që subjekti i rivlerësimit kishte të drejtë të përsëriste kërkesën në seancë publike, të drejtë të cilën ajo zgjodhi të mos e ushtronte dhe, si rrjedhojë, nuk është e nevojshme që Kolegji të vendosë për shqyrtimin e kësaj çështjeje në seancë gjyqësore publike”, thuhet në vendim. ONM në raportin e dorëzuar në KPA për Gashin ka theksuar edhe se ish-prokurorja ka tentuar të vonojë seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit duke paraqitur një raport mjekësor. “Vëzhguesja Ndërkombëtare ka paraqitur gjetjen se ankuesja, së bashku me ankimin, ka paraqitur një raport mjekësor të lëshuar me datë 18.07.2018, me anë të të cilit tregohet sëmundja e saj për periudhën 19.07.2018 – 02.08.2018, por se ky raport nuk është paraqitur asnjëherë pranë Komisionit. Në vijim të gjetjes së mësipërme, Vëzhguesja Ndërkombëtare shprehet se në mungesë të një kërkesë për shtyrje para Komisionit, për shkak sëmundjeje nga ana e subjektit të rivlerësimit, ky i fundit nuk kishte arsye objektive që të mos zhvillonte seancën në kohën dhe datën e caktuar, edhe pse në mungesë të subjektit të rivlerësimit dhe/ose përfaqësuesit të tij ligjor”, vijon më tej vendimi. Lidhur me këtë konstatim të ONM është dakordësuar edhe vetë trupa gjykuese. “Në përputhje me opinionin e Vëzhgueses Ndërkombëtare në lidhje me kërkesën e 4-t të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit për përjashtimin e trupit gjykues të Komisionit, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se kjo kërkesë ishte një përpjekje e qëllimshme për të vonuar seancën dhe, në përgjithësi, për të vonuar procesin e saj të rivlerësimit, sjellje e cila është mbajtur parasysh nga Kolegji, bazuar në nenin 48 të ligjit nr. 84/2016”, citohet në vendimin e KPA.